Përpjekjet për të mbështetur arsimin gjithëpërfshirës dhe veçanërisht integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme vazhdojnë dhe kanë shënuar një prioritet të dukshëm në sistemin arsimor parauniversitar. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Agjencia e Sigurimit  të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar kanë vendosur si prioritet zhvillimin profesional të mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara  me synim ngritjen e një sistemi të mbështetjeje dhe nxitjeje të aftësive profesionale të tyre. Nevojat profesionale të mësuesit ndihmës brenda klasës dhe shkollës aktualisht janë të mëdha. Në këto kushte është e nevojshme të ofrohen materiale burimore e sesione trajnimi për të përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre.

Në këtë hapësirë janë vendosur materiale që nxisin dhe mbështesin punën e mësuesve në përgjithësi dhe mësuesve ndihmës në veçanti për të mundësuar krijimin e mjedisit të duhur edukativ për fëmijët me aftësi të kufizuara. Një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre produkteve kanë dhënë partnerë të huaj dhe vendas që mbështesin dhe kontribuojnë në fushën e arsimit gjithëpërfshirës në Shqipëri.